Ismet Azizi
Rreth i Tropojës shtrihet në Shqipërinë verilindore, kryesisht në zonën fiziko- gjeografike të Alpeve, e zë pjesën lindore të tyre. Kufizohet: në veri e verilindje me Republikën e Kosovës, në veriprendim me Malin e Zi, në prendim me rrethin e Shkodrës, në jug me rrethin e Pukës dhe në lindje me rrethin e Hasit.
Emri më i vjetër dhe më i njohur i kësaj krahine ka qenë:”Malësia e Gjakovës”, e cila historikisht ka patur lidhje të ngushta gjaku, ekonomike e kulturore me Rrafshit të Dukagjinit, veçanarisht me qytetin e Gjakovësi cili deri në vitin 1913 ishte qendra më e rëndësishme zejtaro-tregëtare e saj. Si krahinë gjeo-etnografike edhe sot ky rreth ruan emrin Malësia e Gjakovës.
Alpet e teritorit të Tropojës dallohen si male të larta, të thepisura, të çveshura, me kullota alpine, e vende vende me dëborë të përhershme. Këtu bien në sy fenomenet karstike, veprimi i akullnajave i erozionit si dhe kontrastet e theksuara të lartësive, ku krahas maleve e kreshtave të larta (2000-2500 m.) ka dhe qafa të kalueshme e lugina të thella që përshkohen nga lumenj të vegjël e që banohen deri në thellësi të tyre. Më e bukura, më e rendësishmja dhe më e banuar është lugina e Valbonës, e njohur, jo vetëm për bukuritë e rralla natyrore po dhe për historinë e sajë të lavdishme. Kjo luginë e merr emrin nga lumi Valbona që rrjedh nga latinishtja që do të thotë “luginë e mirë”.
Tropoja përfshihet në zonën e klimës mesdhetare kontinentale,por pjesa më e madhe e teritorit që zënë Alpet ka klimë malore. Në pellgun e Tropojës, që ëshët më i madhi dhe më i bukuri i Alpeve temperatura mesatare vjetore është 11.5˚C, ndërsa ajo mesatare e muajve më të ftohtë e më të ngrohtë janë përkatësisht 0.2˚C. dhe 21˚C. Sasia mesatare vjetore e reshjeve është 1735.5 mm, që bien kryesisht në formë shiu në muajt tetor – nëntor, po edhe në formë dëbore e breshëri, veçanarisht nga tetori deri në prill. Raste të veçanta të rënjes së dëborës ka patur edhe në verë, me 19 gusht 1968, pjesa më e madhe e Alpeve të Tropojës u mbulua me një shtresë debore prej 30 cm. Zona më me lagështi është ajo e Qeresh-Mulajt, në komunën e Lekbibajt, me një mesatare vjetore prej 2663.4 mm. Erërat lokale janë “Veriu i zi” që fryn nga verilindja nepërmjet Qafës së Morinës, ”Veriu i bardhë” që fryn nga veriu nepërmjet luginës së lumit të Gashit dhe “Era” që fryn nga jugu gjatë luginës së Valbonës. Dy të parat sjellin masa ajri të ftohta dhe e fundit të ngrohta e me lagështi.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen